Gerrard: Do të vdesim ndaj Sllovenisë
Steven Gerrard ka premtuar paraqitje shumë më të mirë nga futbollistët anglezë në ndeshjen vendimtare ndaj Sllovenisë, që peshon kualifikimin e Anglisë në xhiron tjetër, ndërsa fitorja ndaj ballkanasve është zgjidhja e vetme për Tre Luanët.
“Është situatë ‘o jetë o vdekje’ dhe ne duhet të përmirësojmë paraqitjen nga hera e kaluar. Stërvitja ishte shumë e mirë këtë mëngjes dhe ne duket sikur jemi të gatshëm për ta bërë punën. Lojtarët janë të lënduar nga paraqitja ndaj Algjerisë. Ne e turpëruam kombin. Ne nuk jemi kënaqur ditët e fundit, për shkak të kritikave dhe ndjenjës se nuk kemi bërë diçka si duhet”.“Ne nuk kemi humbur ndaj Algjerisë, por natyrisht mungoi shumë nga ajo paraqitje. Na nevojitej klimaksi në fund të takimit, por goli nuk erdhi. Ne duam ta bëjmë nesër kombin krenar me ne dhe për këtë jemi të gatshëm edhe të vdesim”, deklaroi Gerrard.
Argjentina eliminon Greqinë
Përfaqësuesja e Argjentinës ka mposhtur Greqinë me rezultat 2-0, dhe në këtë mënyrë e ka përjashtuar nga ky Kampionat Botëror, duke qenë se helenët nuk arritën të grumbullojnë pikët e nevojshme për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt.
Argjentinasit dominuan gjatë gjithë takimit, mirëpo nuk ishin edhe aq të motivuar për të shënuar gola, duke qenë se edhe me barazim do të kryesonin Grupin B.
Goli i parë erdhi në minutën e 77-të, kur pas një rrëmujë para portës, më së miri u gjet Martin Demichelis për të kaluar përfaqësuesen e tij në epërsi.
Fitoren e vulosi Martin Palermo, i cili në minutën e 89-të realizoi golin e dytë dhe vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Pas kësaj fitoreje, Argjentina kryeson Grupin B me efikasitet qind për qind, tri ndeshje tri fitore, ndërsa Greqia duhet të paketojë valixhet, pasi që vendin e dytë në këtë grup e zuri Koreja e Jugut me pikë të barabarta me Nigerinë, por me golaverazh më të mirë.
Në 1/8 e finales, Argjentina për kundërshtar do ta ketë Meksikën, ndërsa Koreja e Jugut do të luajë kundër Uruguait.