Friday, June 18, 2010

Anglia.




E quajtura “gjenerata e artë” e futbollit anglez, nuk ka arritur të ngritë ndonjë trofe të rëndësishëm. Dështoi në Evropianin 2004, ndërsa dështoi edhe në “Gjermania 2006”. Botërori “Afrika e Jugut 2010” është rasti i fundit për një trofe për disa nga fytyrat më të njohura të historisë së futbollit anglez.

Ardhja e trajnerit italian Fabio Capello ka sjellë freski tek “albionët”. Shumica e futbollistëve kanë për të vërtetuar aftësitë e tyre pas përformancave zhgënjyese që patën në kohën kur më së shumti i nevoitej Anglisë. Në krye atëbotë ishte Sven-Goran Eriksson e më pas Steve McClaren. Meqë Botërori do të mbahet në “dimrin” e Afrikës së Jugut, kushte që do t’i përshtatën futbollistëve anglezë dhe stilit të lojës së Anglisë, atëherë dështimi eventual i Wayne Rooneyt dhe bashkëlojtarëve të tij nuk do të ketë më arsyetim.


Rruga deri në Afrikë të Jugut

Pas zhgënjimit në eliminatore për Evropianin 2008, ku nuk arriti të kualifikohej, Anglia u kthye fuqishëm në skenë. Ajo siguroi në mënyrë impresionuese kualifikimin për në “Afrikë të Jugut 2010”. Shënuan nëntë fitore nga dhjetë ndeshje sa i patën në Grupin 6. Shënuan numrin më të madh të golave në Zonën eliminatore të Evropës, gjithsejt 34. Humbja e vetme erdhi nga Ukraina dhe kjo vetëm pasi u fut Anglia me komoditet të madh në lojë, pasi kishte siguruar kualifikimin.

Yjet e skuadrës

Ylli i Manchester Unitedit, Wayne Rooney është lider i Anglisë si në aspektin e shënimit të golave ashtu edhe në atë të përkushtimit. Bara kryesore për sulmin e Anglisë mbështetet mbi supet e Rooneyt. Ai gjatë eliminatoreve shënoi nëntë gola nga po aq paraqitje. Në mesfushë janë dyshja Frank Lampard (Chelsea) e Steven Gerrard (Liverpool). Ata shënuan katër përkatësisht tre gola gjatë eliminatoreve. Po ashtu edhe mbrojtja nuk qëndron aspak keq me Rio Ferdinandin (Man. Utd) e John Terryn (Chelsea). Anglia definitivisht ka kapacitet që të fitojë titullin e botës.

Trajneri

Fabio Capello ka eksperiencë të madhe. Ai ka fituar Serie A me Milanin, Romën, Juventusin dhe ka qenë kampion i dyfishtë i Primera Divisionit me Real Madridin. Capello i njohur për disiplinë, nuk hargjoi shumë kohë për të instaluar etikën e punës dhe shpirtin ekipor edhe te Përfaqësuesja e Anglisë, një përfaqësuese e përbërë nga shumë yje të mëdhenj të futbollit. Fakti se Anglia u kualifikua në “Afrikë të Jugut 2010” dy xhiro para përfundimit të eliminatoreve, tregon më saktësisht për punën e bërë nga Capello. Puna e tij vlerësohet më lartë, kur dihet fakti se Anglia dështoi të kualifikohej në “Euro 2008”.

Botërorët e kaluar

Anglia është paraqitur në 11 botërorë më herët. Debutimin e bëri në botërorin “Brazili 1950”. Botërori 1966 u mbajt pikërisht në Angli ku edhe triumfoi Anglia. Ky është triumfi i vetëm i anglezëve në një Botëror. Rezultatin më të mirë jashtë një Botërori që është mbajtur në fushë të saj, Anglia e arriti me Sir Bobby Robsonin në “Itali 1990”. Skuadra e udhëhequr nga yje si Gary Lineker, Chris Waddle, Paul Gascoigne e David Platt, arriti deri në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale u mposht nga kampioni i atij Botërori, Gjermania Perëndimore dhe kjo pas penalltive.

Rekordet

Humbja nga Ukraina me 1:0 më 10 tetor të vitit 2009 i dha fund një serie të Anglisë prej dhjetë fitoreve të njëpasnjëshme në eliminatore për botërore. Këtë seri Anglia e kishte nisur me fitoren 1:0 kundër Austrisë në Manchester më 8 tetor të vitit 2005.
Golashënuesi më i mirë për “albionët” ka qenë Wayne Rooney. Rrezikshmëria më e madhe nga ai ka ardhur mes minutave 72-76, ku ka shënuar hiq më pak se katër gola.

Deklarata

“Që nga ardhja e trajnerit, nuk ka patur asgjë tjetër pos punë. Vetëbesimi ynë është kthyer. Fitorja e sotme ka treguar të gjitha për punën tonë. Hapin e parë e kemi përfunduar, u kualifikuam, mirëpo ka ende shumë punë për të bërë”, ka thënë mesfushori anglez Frank Lampard, pas fitores që Anglia e shënoi ndaj Kroacisë me rezultatin 5:1. Me atë fitore Anglia u kualifikua në “Afrikë të Jugut 2010”.