Friday, June 18, 2010

Serbia befason Gjermaninë.



Gjermania, e gjendur me dhjetë lojtarë në fushë për pjesën më të madhe të ndeshjes, ka dështuar të përsërisë lojën e kaluar ndaj Australisë, dhe është mposhtur me rezultat minimal nga Serbia në kuadër të ndeshjes së rundit të dytë të grupit D.

Pavarësisht se gjermanët ishin ata që bënë më së shumti presion, pjesa e parë përfundoi në favor të Serbisë. Gjermania pati një rast të mirë pas tre minutash lojë kur Sami Khedira pranoi një top nga Mesut Ozil, por e dërgoi atë jashtë portës. Pesë minuta më pas edhe Lukas Podolski humbi një rast të mirë shënimi.

Momenti vendimtar i ndeshjes ishte përjashtimi i Miroslav Klose në minutën e 36-të të ndeshjes. Duke shfrytëzuar epërsinë numerike, serbët shpejt kaluan në avantazh me anë të Milan Jovanovic (38’).

Mungesa e një lojtari ishte pak e vërejtur për gjermanët në pjesën e dytë pasi të zgjedhurit e trajnerit Joakim Loew patën vazhdimisht iniciativën, por që keqpërdorën një mori rastesh. Madje gjermanët patën një rast të mirë për të barazuar kur pas një ore lojë, pas prekjes së topit me dorë nga Nemanja Vidic u akordua penalti, por Podolski dështoi të jetë i saktë nga pika e bardhë.


Barazim sensacional i SHBA-ve
-----------------------------
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një rikthim të jashtëzakonshëm nga disavantazhi prej dy golash, për të barazuar me rezultat 2-2 përballë liderit të Grupit C, Sllovenisë.

Sllovenia shfaqi lojë shumë më të mirë në 45 minutat e para, ndërsa këtë e dëshmoi edhe rezultati prej 2-0.

Valter Birsa shënoi një gol të bukur për të kaluar sllovenët në epërsi (13’), ndërsa Zlatan Ljubijankic dyfishoi dhe vendosi rezultatin e pjesës së parë (42’).

Me të filluar pjesa e dytë (48’), Landon Donovan shënoi një gol të jashtëzakonshëm për t’i dhënë shpresa skuadrës së tij për një rezultat pozitiv.

SHBA-të ishin skuadër dominuese në fraksionin e dytë të lojës, dhe më në fund arritën që ta barazonin rezultatin me anë të Michael Bradley (82’).

Pas këtij barazimi, Sllovenia kryeson Grupin C me katër pikë, ndërsa SHBA-të mbajnë vendin e dytë me dy pikë, para takimit tjetër të xhiros së dytë të këtij grupi ndërmjet Anglisë dhe Algjerisë