Shkrime të ndryshme - kuriozitete - sporte - art dhe letërsi - kinematografi - televizion - histori - gjeografi - folklor etj..
Saturday, June 19, 2010
Udhëtimi (në qiell) me LORIK CANËN
Ajo që më bëri përshtypje të madhe ishte përkushtimi deri në dashuri i Lorikut për arkeologjinë shqiptare. Dua t’i tregoj botës se shqiptarët janë autoktonë dhe kanë një civilizim të lashtë, shprehet Loriku, i cili më tregon tatuazhin, ku shihet mbrojtësja ilire e vizatuar!
Kam bërë tridhjetë vjet që punoj gazetar dhe është hera e parë që shkruaj për një sportist (futbollist), ndonëse jam adhurues i zjarrtë i sportit, veçanërisht i futbollit profesionist. Mbase duhej pritur çasti (mbreti i botës) dhe ai befas erdhi, gati padiktueshëm dhe kur nuk e prisja.
Më rastisi të udhëtoj në një kupe me futbollistin e kalibrit evropian, anëtarin e rregullt të Sanderlendit të Anglise dhe të Kombëtares sonë, Lorik Cana. Derisa po udhëtonim (në qiell) me aeroplan, më bëhej se në qiellin e trazuar po udhëtoja me një yll të qetë dhe modest e fjalëmbël.
Gjatë dyzet minutave rrugë qiellore, biseduam për futbollin dhe shume tema interesante.
Modest, simpatik, i dashur dhe komunikativ, Lorik Cana tregon për hapat e parë në futboll dhe suksesin e tij në masë të madhe ia dedikon babait të tij, ish futbollistit të njohur te Prishtinës, Agim Cana, por edhe nënës dhe dy motrave të tij, të cilat vazhdimisht i janë gjetur pranë dhe e kanë mbushur me vetëbesim dhe siguri.
Mirëpo, ajo që më bëri përshtypje të madhe ishte përkushtimi deri në dashuri i Lorikut për arkeologjinë shqiptare! Madje, Loriku theksoi se pas përfundimit të karrierës si futbollist do të merret intensivisht me arkeologji dhe nxori nga çanta sportive librin e Avni K. Këpuskës "Qenësia e territorit dhe e kufijve etnike autoktone të Kosovës" (etnologjia e popullit shqiptar që nga lashtësia iliro-dardane e Kosovës e deri
në ditët e sotme).
Dua t'i tregoj botës se shqiptarët janë autoktonë dhe kanë një civilizim të lashtë, shprehet Loriku (emrin ia ka vënë xhaxhai, historiani i njohur, Prof. Zekeria Cana), i cili më tregon tatuazhin, ku shihet mbrojtësja ilire prej çeliku. Për këtë edhe Loriku m’u duk se ishte zemër çeliku. Për të bërë pak shaka në qiell, iu drejtova Lorikut me këto fjalë: "Lorik a po e sheh se ende jemi në qiellin shumë të trazur, të zbresin në tokë dhe pastaj bisedojmë për nëntokën, arkeologjinë. Loriku, zemër çeliku, si virtuoz që është, tha se të gjithë do të përfundojmë në nëntokë herët a vonë dhe pastaj bëhemi vlerë arkeologjike...
Biseduam edhe artin e futbollit, për shikuesit e shumtë, fansat, paratë, femrat dhe, Loriku për të gjitha kishte përgjigje konkretë.
I saktë dhe bindës, transparent dhe i çiltër, Loriku tregonte se dëshiron të martohet me një shqiptare nga Kosova, se është i lumtur që mbron ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë, se është mjaft humanist, duke ndihmuar njerëzit në nevojë, se nuk është i ashpër në fushë, por është mbrojtës dhe detyra e tij është të pengojë, ndalojë kundërshtarin, pastaj për planet si dhe për karrierën e filluar në Paris Sen Zhermen, pastaj kalimi i tij në Marseje dhe së fundi në Sanderlend, duke u bërë lojtari më i paguar shqiptar.
Loriku flet me admirim edhe për kolegët e tij, pastaj për harmoninë në kombëtaren e Shqipërisë, për kohën e lirë dhe për dashurinë ndaj atdheut, Kosovës dhe familjes së tij. Ai, kujtoi edhe fëmijërinë, ku, qysh në moshën katër vjeçare, kishte rrokullisur për herë të parë topin në tepihun e gjelbër të stadiumit të Prishtinës.
Për këtë i jam mirënjohës babait, i cili më ka qëndruar pranë dhe më ka dhënë vullnet, forcë, dashuri për lojën magjike, sikurse është futbolli. ‘Puno shumë’, më thoshte babi se të (sh)paguhet dhe ashtu ndodhi. Punëtori ia merr me zor...fatin...dhe për këtë jam bindur shumë herë! Në saje të familjes kam përballuar shumë sfida gjatë jetës sime.
Në fëmijëri kam mësuar artin e të lexuarit dhe të shkruarit, por edhe faktin se duhet vetë të arrish suksese. Gëzohem kur i blej mamit dhuratë, nuk arrij ta rezistoj kuzhinën tonë tradicionale, pi shumë ujë, kam shumë miq, e ngas shumë veturën, jam pak inatçor, natyrisht pozitivisht, më pëlqen filmi, Gladiatori, Tomi e Xheri.
Për çudi, aeroplani, atë ditë kishte shumë turbulenca dhe kjo Lorikut nuk i krijonte bezdi, meqë udhëtimin me aeroplan e kishte, të thuash, përditshmëri, ndërkohë që unë, të jem i sinqertë, nganjëherë e humbja përqendrimin dhe fillin e bisedës.
Udhëtimi në qiell me një yll të futbollit - Lorik Canën mbaroi. Zbritëm në Rinas, ku këmbyem vizitkartat, kurse unë u përshëndeta dhe i urova fitore.
Shaqir Foniqi.